Ministri i financave, Jeremy Hunt, prezantoi planin e tij për të nxitur rritjen ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar, në një kohë që kritikat në vend sa vijnë e shtohen për sa i përket strategjive të ndjekura nga qeveria në këtë sektor.
Hunt përshkroi mundësitë në atë që ai i quan sektorët e rritjes që do të përcaktojnë këtë shekull, duke premtuar se do të ndërtojë liritë që ofron Brexit. Ky prezantim ndodh gjatë javës që qeveria britanike po përballet me akuzën se nuk ka asnjë plan afatgjatë për rritjen ekonomike të vendit. Në fillim të javës grupi i biznesit CBI paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar po mbetet pas rivalëve në për sa i përket rritjes së gjelbër. Në një kohë që u konfirmua dhe se numri i firmave në prag të falimentimit u rrit me më shumë se një të tretën në fund të vitit të kaluar. Por ministri Hunt u përqendrua në sektorë kyç si teknologjia dixhitale, industritë e gjelbra, shkencat e jetës, prodhimi i avancuar dhe industritë krijuese. Ai gjithashtu përcaktoi një plan afatgjatë për të trajtuar produktivitetin e dobët.
Hunt tha se disa parashikime negative nuk pasqyrojnë të gjithë pamjen. Ai vlerësoi atë që ai e quan gjenialiteti britanik dhe puna e palodhur britanike duke premtuar se do ta kthejë atë në prosperitet në planin afatgjatë. Ky ishte fjalimi i parë i rëndësishëm ekonomik i ministrit që kur mori detyrën në tetor, për të ndryshuar pjesën më të madhe të mini-buxhetit të Liz Truss.
Në deklaratën e tij nëntorin e kaluar, Hunt konfirmoi rritje të taksave dhe shkurtime të shpenzimeve me vlerë miliarda paund, që synonin përmirësimin e financave të vendit.
Rritja e çmimeve në Mbretërinë e Bashkuar u ngadalësua për të dytin muaj radhazi në dhjetor, por kostoja e ushqimit, duke përfshirë qumështin, djathin dhe vezët e mbajti inflacionin në nivelin më të lartë të 40 viteve.
Ndërkohë, pagat janë rritur me ritmin më të shpejtë në më shumë se 20 vjet, por ende nuk po arrijnë të njehsohen me rritjen e çmimeve.
Shifrat të martën treguan se huamarrja e qeverisë arriti një nivel të ri në dhjetor, e nxitur nga kostoja e mbështetjes së familjeve me faturat e tyre të energjisë dhe rritja e kostove të interesit të borxhit. Zyra e pavarur për Përgjegjësinë e Buxhetit i tha qeverisë se kishte mbivlerësuar perspektivat për rritjen afatmesme dhe se planifikonte të ulë perspektivën e saj, sipas raportimeve të The Times. Ulja do t’i linte zotit Hunt më pak hapësirë për të manovruar përpara miratimit të buxhetit të propozuar prej tij në muajin mars.
/ SCAN