Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung në bashkëpunim me Institutin Evropian për Paqe, kanë publikuar online versionin e draft-statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas këtij draft-statusi, Asociacioni do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Drafti përmbanë 7 kapituj dhe 18 nene.
Në kapitullin e parë neni 1 pika 2 thuhet se “Statuti do të miratohet nga kuvendi themelues i Asociacionit/Bashkësisë i formuar nga anëtarët me votim të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse në përputhje me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të marrë fuqinë e një rregulloreje të Qeverisë sipas sistemit juridik të Kosovës pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
Ky draft-statut thekson se Asociacioni do të jetë si person juridik i themeluar në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës. Tutje theksohet se Asociacioni/Bashkësia do të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale.