Gjigandi i naftës dhe gazit Shell ka raportuar fitime vjetore rekord pas rritjes së çmimeve vitin e shkuar me nisjen e pushtimit të Rusisë në Ukrainë.
Fitimet për kompaninë arritën në 39.9 miliardë dollarë në vitin 2022, dyfishi i totalit të vitit të kaluar dhe më i larti në historinë e tij 115-vjeçare.
Kompanitë e energjisë kanë regjistruar fitime rekord që kur çmimet e naftës dhe gazit u rritën pas pushtimit të Ukrainës. Ndërkohë mbi këto kompani është rritur presioni që të paguajnë më shumë taksa ndërsa familjet luftojnë me faturat e kripura.
Kujtojmë se çmimet e energjisë kishin filluar të rriteshin pas përfundimit të bllokimeve për Covid, por u rritën ndjeshëm në mars të vitit të kaluar pas zhvillimeve në Ukrainë.
Çmimi i naftës së papërpunuar Brent arriti afërsisht 128 dollarë për fuçi pas pushtimit, por që atëherë ka rënë përsëri në rreth 83 dollarë. Çmimet e gazit gjithashtu u rritën, por kanë zbritur nga nivelet më të larta.