Ozzy Osbourne ka njoftuar tërheqjen nga turi i koncerteve për shkak të problemeve me shtyllën kurrizore. Legjenda 74-vjeçare e “rock”-ut u diagnostikua me Parkinson 4 vite më parë dhe ka pasur shumë probleme shëndetësore kohët e fundit.
Pritej që këngëtari të niste turin evropian të koncerteve në maj, tur që ishte programuar fillimisht në vitin 2019 dhe që u riskedulua plot 3 herë. Tani, ky tur është anuluar përfundimisht.
Koncerti i fundit i Ozzy Osbourne është zhvilluar në dhjetor të vitit 2018.
Me anë të një postimi në Instagram, ish-anëtari i grupit Black Sabbath, i kërkoi falje fansave: “Kërkoj ndjesë që ju kam zhgënjyer. Kurrë nuk e mendoja që ditët e mia të koncerteve do të përfundonin në këtë mënyrë”.
Ozzy rrëfeu se ka ende probleme shëndetësore, 7 muaj pas operacionit në shtyllën kurrizore që e shpëtoi nga paraliza, por zërin e ka mirë.