Afro 8500 ushtarë amerikanë janë në shkallën më të lartë të gatishmërisë, pas rritjes së tensioneve në Ukrainë, është thënë nga Pentagoni, raporton BBC.
Ky reagim vjen, pasi Rusia ndonëse mohon se po planifikon veprime ushtarake kundër Ukrainës, ka dërguar afro 100 mijë trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, po pritet të bisedojë me aleatët evropianë, ndërsa Perëndimi është duke u përqendruar në një strategji të përbashkët në rast të agresionit rus.
Pentagoni ka thënë se nuk është marrë një vendim nëse do të vendosen në Ukrainë 8500 trupa.
Por, në fundjavë, Biden dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare kanë biseduar për mundësinë që të dërgohen më tepër trupa te aleatët e NATO-s në Evropën Lindore.
Disa shgtete anëtare të NATO-s, përfshirë Danimarka, Spanja, Bullgaria dhe Holanda, po dërgojnë aeroplanë ushtarakë dhe anije luftarake në Evropën Lindore për të forcuar mbrojtjen në rajon.
Bideni do të bisedojë sot në një videolidhje me kryeministrin e Britanisë, Boris Johnson, presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministrin italian Mario Draghi, presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Po ashtu do të jenë në këtë lidhje edhe liderët e BE-së, Ursula von der Leyen e Charles Michel.