Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdogan, ashtu sikurse bashkëshorti i saj, janë shpërndarë në terren për të parë nga afër situatën e krijuar pas tërmeteve shkatërrimtare që u kanë marrë jetën deri më tani mbi 16 mijë personave në Turqi dhe Siri.
Zonja Erdogan vizitoi të mërkurën foshnjat e prekura nga tërmeti, të sjellë në Spitalin e qytetit të Ankarasë “Etlik” nga Kahramanmaraş dhe provincat e tij fqinje, pas tërmeteve shkatërruese që tronditën 10 provinca në jug të vendit.
Erdogan ishte vizitorja e parë e 16 foshnjave, të moshës 0-1 vjeç dhe pa të afërm, të cilët fluturuan drejt kryeqytetit me aeroplanin presidencial.
“Ata janë në duart e sigurta të shtetit tonë. Unë do të vazhdoj të ndjek ecurinë e foshnjave tona. I uroj shërim të shpejtë çdo fëmije të prekur nga fatkeqësia dhe shërim të shpejtë për foshnjat tona të lënduara”, ka shkruar Erdogan në rrjetet sociale.
Kryekoordinatori Bülent Güngörer tha për Anadolu Agency (AA) se foshnjat iu nënshtruan trajtimit të parë dhe se nuk u konstatua asnjë problem, ndërsa foshnjat e lindura para kohe do të mbeten në vëzhgim intensiv.
Güngörer përmendi më tej se më shumë se 1000 pacientë janë sjellë në Ankara nga zonat e goditura nga tërmeti.