Një javë pas triumfit në çmimet Grammy, artisti Harry Styles është nderuar sërish në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Brit Awards.
Ai fitoi në katër kategoritë në të cilat ishte nominuar ku arriti të rrëmbente edhe çmimin e lakmuar, atë të albumit më të mirë të vitit.
“Jam vërtet shumë mirënjohës për këtë dhe jam shumë i privilegjuar që ndodhem këtu sonte”, tha Styles teksa rrëmbeu çmimin.
Styles, i cili u bë i famshëm gjatë “The X Factor” si anëtar i grupit të djemve One Direction, javën e kaluar fitoi dy çmime Grammy.
Pas artistit britanik, ylli i muzikës Beyonce rrëmbeu dy çmime. Këngëtarja nuk ishte e vetmja që fitoi dy çmime pasi edhe banda e rokut Wet Leg u nderua gjithashtu.
Fituesit u shpallën në një ceremoni në Londër ku të pranishëm ishin shumë yje të muzikës.