Departamenti për Tregtinë Ndërkombëtare në Mbretërinë e Bashkuar ka publikuar një raport, i cili vëren se Britania ka një tregti totale të mallrave dhe shërbimeve prej 410 milionë paundësh me Shqipërinë.
Kjo, e përllogaritur në katër tremujorët deri në fund të tremujorit të tretë 2022.
Shifra e përditësuar dëshmoi një rritje prej 157.9 për qind ose 251 milion paundë nga viti 2021, nënvizon raporti.
Eksportet totale të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri arritën në 144 milionë paundë, me një rritje prej 206.4 për qind ose 97 milionë paundë krahasuar me vitin 2021.
Ndërsa totali i importeve të Mbretërisë së Bashkuar nga Shqipëria arriti në 266 milionë paundë, me një rritje prej 137.5 për qind ose 154 milionë paundë.
Shqipëria ishte partneri i 110-të më i madh tregtar i Mbretërisë së Bashkuar gjatë kësaj periudhe, citojnë autoritetet britanike.
Nga të gjitha eksportet e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri në katër tremujorët deri në fund të tremujorit të tretë 2022, 38 milionë paundë (ose 26.4 për qind) ishin mallra dhe 106 milionë paundë (73.6 për qind) ishin shërbime.
Në katër tremujorët deri në fund të vitit 2022, eksportet e mallrave nga Britania drejt Shqipërisë u rritën me 111.1 për qind ose 20 milionë paundë krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2021.
Ndërkohë që eksportet e shërbimeve britanike në Shqipëri u rritën me 265.5 për qind ose 77 milionë paundë.
Nga të gjitha importet e Mbretërisë së Bashkuar nga Shqipëria në katër tremujorët deri në fund të tremujorit të tretë 2022, 13 milionë paundë (ose 4.9 për qind) ishin mallra dhe 253 milionë paundë (ose 95.1 për qind) ishin shërbime.
Në të njëjtën periudhë, Britania e Madhe rriti importimin e mallrave nga Shqipëria me 62.5 për qind ose 5 milionë paundë krahasuar me katër tremujorët deri në fund të tremujorit të tretë 2021.
Ndërsa importet e shërbimeve në Mbretërinë e Bashkuar nga Shqipëria u rritën me 143.3 për qind ose 149 milionë paundë.
Britania e Madhe raportoi një deficit tregtar total prej 122 milionë paundësh me Shqipërinë.
Në vitin 2022, Mbretëria e Bashkuar kishte një tepricë të tregtisë së mallrave prej 25 milionë paundësh me Shqipërinë, krahasuar me një suficit prej 10 milionë paundësh në katër tremujorët deri në fund të tremujorit të tretë 2021.
Ndërsa në fund të tremujorit të tretë të vitit 2022, Mbretëria e Bashkuar raportoi një deficit tregtar në shërbime prej 147 milionë paundësh me Shqipërinë, krahasuar me një deficit tregtar në shërbime prej 75 milionë paundësh.