Kuvendi i Kosovës mbajti dje, më 27 prill, një seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, e cila u zhvillua pa praninë e deputetëve të opozitës, të cilët bojkotuan procesin.
Seanca u thirr pas përfundimit të debateve paraprake për çështjen e presidentit, ndërsa partia në pushtet propozoi dy kandidate të reja për postin e kreut të shtetit: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Në raundin e parë të votimit të fshehtë, Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë është shpallur e pavlefshme. Nga ana tjetër, Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë.
Pas votimit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se seanca do të vijojë këtë të martë në orën 10:00.
Zhvillimet kanë shkaktuar reagime të forta nga opozita.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka cilësuar procesin si “puç kushtetues”, duke argumentuar se nuk është plotësuar kuorumi i nevojshëm për votim. Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se veprimet e partisë në pushtet përbëjnë “përmbysje të rendit kushtetues”.
Edhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime për shkelje të mundshme të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, duke theksuar se në sallë duhet të jenë të paktën 80 deputetë për të proceduar me zgjedhjen e presidentit.
Sipas tyre, mënyra e zhvillimit të procesit, përfshirë tërheqjen e kandidaturave të mëparshme dhe procedurat e ndjekura, ngre pikëpyetje mbi respektimin e praktikave kushtetuese.
Sot, 28 prill, është afati i fundit për të zgjedhur presidentin e ri të Kosovës.
Nëse kjo nuk arrihet, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

