Pas shumë vitesh tensionesh midis Serbisë dhe Kosovës, të dyja vendet kanë rënë dakord për një plan të BE-së të krijuar për të rregulluar marrëdhëniet e tyre të ardhshme.
Megjithatë, zbatimi dhe afati kohor mbeten të paqarta.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell njoftoi në fillim të kësaj jave se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishin pajtuar “që nuk nevojiten diskutime të mëtejshme rreth propozimit evropian”.
Propozim-marrëveshja që u bë publike pas takimit, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pret që Plani evropian të shtyjë pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë.
Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, Kosovën nuk e njohin ende Spanja, Rumania, Sllovakia, Qipro e Greqia.
Von Cramon beson se me marrëveshjen kjo do të ndryshonte dhe do të hapej formalisht rruga e Kosovës drejt BE-së.
“Edhe nëse mungon nënshkrimi përfundimtar, ky është një sukses i madh politik për BE-në dhe për të gjithë rajonin”, ka thënë Von Cramon për “Deutsche Wellen”.
Von Cramon të martën në “Twitter” ka thënë se “e mirëpret pranimin e propozimit-marrëveshjes për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Duhet kurajë, vullnet politik dhe lidership për të arritur marrëveshje”, ka thënë Von Cramon.