Ish-presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili ka thënë për Sky News se po i afrohet vdekjes në spitalin ku është transferuar nga burgu.
Sipas mediumit në fjalë, përcjell Telegrafi, në një moment qasjeje të rrallë në media, ish-udhëheqësi u dha gjithashtu një paralajmërim popullit të Gjeorgjisë pasi protestat kishin përfshirë vendin.
Një gjyq apeli muajin e kaluar dëgjoi pretendimet nga një ekspert i pavarur se z. Saakashvili ishte helmuar ndërsa ishte në burg.
Por autoritetet gjeorgjiane e refuzojnë këtë mundësi dhe nuk do ta lënë atë të transferohet për trajtim në Evropë.
Sky News thekson se iu mohua qasja në spital, por ishte në gjendje t’i kalonte pyetjet e zotit Saakashvili përmes avokatit të tij dhe të merrte përgjigje me shkrim dore si përgjigje.
I pyetur se sa pranë vdekjes ishte ai, Saakashvili ka thënë: “Fillimisht isha 120 kilogramë ndërsa tash jam 64 kilogramë. Nëse bie edhe më tej në peshë, mjekët parashikojnë se do të kem dështime në disa organe”.
Për sa i përket shëndetit të tij ai tha: “Gjithë kohën jam në shtrat”.
Ndërsa avokati i tij Shalva Khachapuridze ka treguar se gjendja e klientit të tij po përkeqësohet çdo ditë.
“Është një skenë e tmerrshme”, ka thënë Khachapuridze për Sky News.
“Ai duket si një i burgosur në një kamp përqendrimi në Gjermaninë naziste”.
Saakashvili u dërgoi një mesazh mijëra demonstruesve që kanë qenë në rrugë duke protestuar për ligjet e reja të propozuara të kritikuara si pro-ruse.
“Qëndroni shumë vigjilentë, bëhuni gati për t’u mobilizuar në një kohë të shkurtër,…”, shkruan ai në korrespondencën e tij me Sky News.
Në anën tjetër, Perëndimi po vëzhgon nga afër se çfarë ndodh me Saakashvili.
Presidenti francez Emmanuel Macron foli për fatin e Saakashvili, duke thënë: “Ish-liderët politikë në Gjeorgji, të cilët janë duke u arrestuar dhe me shëndet të dobët duhet të lirohen ose të kontrollohet situata shëndetësore”.
Ndërkohë muajin e kaluar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për lirimin e ish-udhëheqësit gjeorgjian.
“Për momentin, shtetasi ukrainas, ish-presidenti gjeorgjian Mikheil Saakashvili po vritet ngadalë”, kishte thënë Zelensky.
Ndryshe, ai u bë një hero në Perëndim për rezistencën ndaj agresionit nga Moska, e cila po dërgonte tanke në Gjeorgji.
Por ai u akuzua për shpërdorim të pushtetit dhe se ai komplotoi vdekjen e kundërshtarëve në paraburgim.
Partia në pushtet këmbëngul se z. Saakashvili duhet të vuajë dënimin dhe po merr mjaft kujdes.
Autoritetet thonë se problemet e tij shëndetësore janë shkaktuar nga refuzimi i tij për të ngrënë mjaftueshëm ushqim. /Telegrafi/