Me ballokume dhe brohoritje është pritur sot kreu i Partisë Demokratike në Elbasan, qytetarët e të cilit i vendosën edhe një verore, siç e do tradita me rastin e Ditës së Verës.
Sali Berisha shoqërohej nga Luçiano Boçi, i cili ka dalë fitues në primare për të kandiduar për kryetar të Bashkisë Elbasan.
Ndërsa kujtoi se 14 Marsi simbolizon ripërtëritjen dhe ndryshimin, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që më 14 maj të zgjedhin ndryshimin dhe të mbështesin me vonë Boçin.
“Elbasani, sot kryeqyteti i festës së Ditës së Verës. Këtu sot kanë ardhur pelegrinë nga mbarë Shqipëria. Kryeqyteti i pelegrinazhit kombëtar. Kjo ditë është simbol i ndërrimit, lulëzimit, ndryshimit. Natyra fillon dhe ndërron kostumin e saj. Moti vjen tjetër, 14 maji do të ndjekë një ndryshim të thellë dhe qytetarët e Elbasanit do të mbështesin me besim të madh për Qytetar të Parë një intelektual të shquar, një qytetar shembullor dhe një politikan të mirënjohur, Luçiano Boçin për kryetar të bashkisë, për qytetar të qytetit,” deklaroi ndër të tjera Berisha.