Një mjek ka kërcënuar pacientin në spitalin rajonal të Durrësit, pasi ky i fundit e ka pyetur se përse kishte aq shumë radhë dhe nëse do të mund të merrte shërbimin e nevojshëm. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës.
Pacienti duhet të bënte një skaner, por pas 4 orëve pritje ai vendosi të pyeste mjekun se përse po ndodhte gjithë kjo vonesë. Në këtë kohë sipas raportimit të gazetares së Euronews Albania, Kloida Gjuzi mjeku ka filluar ta kërcënojë.
“Në fakt nuk ka ende një version zyrtar nga ana e policisë në rast se po heton në lidhje me ngjarjen e djeshme, por ka qenë vetë pacienti dhe personat që e kanë shoqëruar atë që e kanë publikuar një video, në të cilën shihet qartë se një mjek i identifikuar si Erzen Doçi, ka kërcënuar pacientin i cili prej 4 orësh priste shërbimin në Spitalin Rajonal të Durrësit. Ka qen nevoja për të kryer një skaner ajo që e ka drejtuar në urgjencën e skanerit.
Infermierja i ka sugjeruar të qëndroje në pritje deri sa të vinte mjeku që do të kujdesej për të dhe deri sa salla për skanerin do të ishte gati. Pasi ka pritur 4 orë pacienti ka tentuar të komunikojë me mjekun në mënyrë që të mësonte se ç’do të ndodhte me të.
Nëse mund të kryente shërbimin brenda ditës së djeshme apo duhej të largohej pa e marrë këtë shërbim. nga ajo që ka thënë personi i cili ka filmuar mjeku ka qenë nën efektin e alkoolit, por ky nuk është një informacion i zyrtarizuar, por mund të jetë shpjegim i vetëm duke marrë parasysh përgjigjen që i dha pacientit në momentin kur ky i fundit i kërkon arsyen se pse është kjo radhë e gjatë, ai ka zgjedhur ta kërcënoj.
Ai e ka kërcënuar hapur me një konfrontim fizik jashtë ambientit të spitalit. Ai i ka thënë se mund të hiqte bluzën dhe do të dilnin të kishin një konflikt fizik jashtë spitalit. Kjo solli reagimin edhe të pranishmëve në spital, por kanë ndërhyrë punonjësit e sigurisë dhe asnjë konflikt nuk ka percipituar”,-raportoi gazetarja Kloida Gjuzi.