Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, gjatë një interviste dhënë për televizionin rus Zvezda që është në pronësi të ministrisë ruse të Mbrojtjes, është pyetur sesi do të përfundojë lufta në Ukrainë, ku ai me një dozë ironie tha se “çdo luftë përfundon me paqe”.
Por kur gazetari e pyeti se kur pritet të ndodhë kjo paqe në Ukrainë, Shoigu nuk është përgjigjur dhe thjesht është larguar nga gazetar.
Analistët perëndimorë thonë se presidenti rus Vladimir Putin ka të ngjarë ta zvarritë luftën sa më gjatë që të jetë e mundur, me shpresën se mbështetja perëndimore për Ukrainën do të dobësohet.
“Vladimir Putin nuk ka plane të menjëhershme për paqen në Ukrainë, dhe për këtë arsye Perëndimi duhet të përgatitet për të ofruar ndihmë për Kievin për një kohë të gjatë”, paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për Guardian.
“Lufta e ashpër e përqendruar rreth Bakhmutit tregon se Rusia është e gatshme vetëm të hedhë mijëra e mijëra trupa, të shkaktojë shumë viktima për përfitime minimale”, shtoi shefi i NATO-s.
“Presidenti Putin nuk po planifikon paqen, ai po planifikon më shumë luftë,” vazhdoi Stoltenberg, duke theksuar se Rusia po rrit prodhimin industrial ushtarak dhe “u afrohet regjimeve autoritare si Irani, Koreja e Veriut dhe të tjerët, në përpjekje për të marrë më shumë armë”.