Zëvendëskryeministri i Britanisë së Madhe, Dominic Raab, i cilësoi hotelet dhe akomodimin aktual të emigrantëve si “stimulim” dhe tha se qeveria duhet të kursej 6 milionë funta që shpenzohen çdo ditë për akomodimin e tyre
Raportohet se emigrantët në Britani të Madhe mund të zhvendosen nga hotelet në tragete, ish-baza ushtarake dhe maune.
Ministri britanik i Emigracionit, Robert Jenrick, pritet të zbulojë sot planin e qeverisë britanike për strehimin e azilkërkuesve.
BBC raportoi se planet për përdorimin e trageteve dhe mauneve janë në shqyrtim, por shtoi se nuk janë në një fazë të avancuar.
Zëvendëskryeministri i Britanisë së Madhe, Dominic Raab, tha për Sky News se qeveria do të konsiderojë vendosjen e emigrantëve në maune, kërkesat për azil të të cilëve janë duke u përpunuar.
Ai i cilësoi hotelet dhe akomodimin aktual të emigrantëve si “stimulim” dhe tha se qeveria duhet të kursej 6 milionë funta që shpenzohen çdo ditë për akomodimin e tyre.
“Nuk mendoj se do të ishte e paligjshme, kjo varet nga rrethanat dhe kushtet”, tha Raab.
Të hënën, Qeveria e Britanisë së Madhe njoftoi se refugjatët afganë të vendosur në hotele do të nxirren që aty. Ministri i Veteranëve, Johnny Mercer, njoftoi në Dhomën e Komunave se refugjatëve që ishin në hotele do t’u thuhej të largohen.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësime pas njoftimit, duke theksuar se mijëra afganë, të cilët u larguan nga vendi pas pushtimit të talebanëve në vitin 2021, janë në rrezik të mbeten të pastrehë.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për shumë elementë të këtyre planeve, veçanërisht rrezikun që ato mund të çojnë që njerëzit që ikën nga talebanët në Afganistan të mbeten të pastrehë dhe të varfër në rrugët e Britanisë”, thuhet në reagimin në twitter të organizatës joqeveritare “Refugee Council” me bazë në Britani.
Për momentin, rreth 8.000 njerëz nga 24.500, që u larguan nga Afganistani pasi talebanët morën kontrollin e vendit, aktualisht janë duke qëndruar në hotele. Sipas raportimeve të mediave, gjysma e tyre janë fëmijë.
Organizata kritikoi qeverinë dhe tha se nuk duhet të trajtohen kështu ata të cilëve u është premtuar një “mirëseardhje e ngrohtë” në Britani të Madhe.
“Hotelet nuk janë vendi i duhur për të jetuar refugjatët, por fakti që thuhet se mijëra afganë kanë mbetur në to për muaj të tërë është pasojë e keqmenaxhimit të qeverisë dhe dështimit për të punuar me sukses në partneritet me këshillat lokale dhe agjencitë e tjera për të gjetur strehim të përshtatshëm”, theksoi organizata.
Gjithashtu theksohet se plani i qeverisë do të shkaktonte “mjerim dhe ankth të madh për ata që tashmë kanë përjetuar trauma dhe trazira”.