Një aeroplan spiun britanik ka shpëtuar pa u rrëzuar nga rusët vetëm për shkak të keqfunksionimit të një rakete, sipas dokumenteve sekrete, që kanë rrjedhur në internet.
Ai që do të ishte akt lufte është shmangur për pak, pasi njëri nga pilotët rus filloi ta përcillte aeroplanin RC-135, i cili ka ekuipazh deri në 30 persona, raporton gazeta “The Sun”.
Aeroplani rus ishte duke fluturuar mbi Detin e Zi, kur piloti besoi se kishte leje për të hapur zjarr, sipas një raporti të inteligjencës amerikane.
Ky incident u përmend vitin e kaluar nga sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, Ben Wallace, por serioziteti i rastit doli përsëri në skenë me publikimin e hollësive të reja.
Në dokument, sipas përshkrimit të incidentit nga zyrtarët amerikanë të mbrojtjes, thuhet se piloti rus e kishte keqinterpretuar atë që i ishte thënë nga një operator i radarëve në tokë, raporton gazeta “The New York Times”.
Ai mendoi se kishte leje për të hapur zjarr, iu vu pas aeroplanit spiun dhe hodhi një raketë gjatë incidentit të datës 29 shtator.
Fatmirësisht, raketa nuk funksionoi si duhet dhe një incident potencialisht katastrofal u shmang.
Njëri nga zyrtarët që u informuan për këtë rast e përshkroi ngjarjen si “vërtet, vërtet të frikshme”.
Në fundjavë, gazeta “The Washington Post” raportoi se në dokumentet e klasifikuara, ky incident përshkruhet si “gati rrëzim i RJ-së britanike”, duke iu referuar emrit të aeroplanit.
Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë e mohoi fuqishëm përshkrimin e incidentit në këto dokumente.
“Një pjesë e konsiderueshme e përmbajtjes së këtyre raporteve është e pavërtetë, e manipuluar ose të dyja”- tha një zyrtar i kësaj ministrie.