Imami Ahmed Kalaja ka njoftuar se i është ndaluar hyrja për në Maqedoninë e Veriut. Në një denoncim të bërë përmes një postimi në Facebook, ai shkruan se do të shkonte në një xhami në fshatin Bojanë, por i është ndaluar hyrja në kufi.
Në bazë të letrës së publikuar nga vetë hoxha Kalaja, sipas autoriteteve maqedonase ai paraqet rrezik për rendin publik dhe sigurinë kombëtare.
Hoxha Kalaja e ka cilësuar si një sjellje të paprecedentë dhe i kërkon Ministrisë së Jashtme të reagojë për këtë ngjarje.
“Open Ballkan; Ballkani i Hapur sa e bukur për të qenë e vërtetë; që një ditë të kalonim kufijtë pa pengesa. Kam udhëtuar kudo në Evropë edhe Britani edhe asnjë pengesë. Mirëpo politikat shoviniste të Shtetit të Maqedonisë se Veriut ndaj shqiptarëve nuk kanë të sosur.
Pavarësisht se isha i ftuar zyrtarisht edhe të gjitha institucionet ishin në dijeni. Arsyeja e ndalimit shprehet në letër; e normalisht nuk ke ku të ankohesh vetëm se te Zoti; që tua japë hakun atyre ndaj kësaj sjellje të paprecedente arrogante monstruoze.
Ndoshta Institucionet e përfaqësimit të Islamit në dy shtetet, avokati i popullit, ministria e jashtme, shteti do të reagojnë. Ndjesë besimtarëve edhe qytetarëve të Shkupit ndaj politikave monstruoze të atyre që i udhëheqin. Agjërim të pranuar e mos i harroni nga duatë ata po edhe ne që me zemër të përmalluar u nisa për të ju e nuk erdha dot”.
Imami Ahmed Kalaja