Ministrat britanikë kanë hequr masat mbrojtëse që parandalonin gjykimin e padrejtë të kërkesave të azilkërkuesve, ndërsa përpiqen të përshpejtojnë deportimin e emigrantëve shqiptarë me varka të vogla.
Qeveria njoftoi në heshtje ndryshimin, i cili heq nevojën për një “palë sy të dytë” për vendimet që lejojnë njerëzit të dëbohen në vendet e tyre.
Fuqia e re vlen për migrantët nga një listë e vjetruar e kombeve që më parë konsideroheshin të sigurta, përfshirë Ukrainën. Ajo po përdoret kryesisht në lidhje me shtetasit shqiptarë, shkruan The Independent, pasi shtetasit e vendeve të tjera në listë, ku përfshihen Bolivia, Koreja e Jugut dhe Serbia, aktualisht nuk përbëjnë një numër të konsiderueshëm azilkërkuesish ose migrantësh me varka të vogla.
Zyra e Brendshme mohon të synojë ndonjë kombësi specifike, por burimet thonë se pushteti në fjalë nuk po zbatohet në mënyrë të barabartë në lidhje me pretenduesit nga vendet e tjera që kualifikohen, ndërsa shoqatat kanë akuzuar qeverinë për diskriminim.