Ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe Suella Braverman ka deklaruar se emigrantët që mbërrijnë në vendin e saj përmes gomoneve janë njerëz që bien në kundërshtim me vlerat britanike.
“Unë mendoj se nivelet e pakontrolluara dhe të paprecedenta të migrimit të paligjshëm janë krejtësisht të papranueshme për vendin tonë dhe për vlerat tona”, është shprehur Braverman duke folur me Nick Ferrari në Breakfast në LBC.
E pyetur nëse pajtohet me pikëpamjen e ministrit të Emigracionit Robert Jenrick se migrimi i pakontrolluar kërcënon qytetarët anglezë, ministrja e Brendshme u shpreh se “njerëzit që vijnë këtu ilegalisht zotërojnë vlera që janë në kundërshtim me vendin tonë”
“Ne po shohim nivele të rritura të kriminalitetit kur lidhen me njerëzit që kanë ardhur me gomone në lidhje me trafikun e drogës, shfrytëzimin dhe prostitucionin. Ka sfida reale që shkojnë përtej çështjes së migrimit të njerëzve që vijnë këtu ilegalisht. Ne duhet t’u japim fund këtij lloj emigracioni”, u shpreh Braverman, transmetojnë mediat britanike.
Ministrja e Brendshme shpenzon 6 milionë paund në ditë për akomodimin në hotel për azilkërkuesit. Ndërsa 50 mijë njerëz janë aktualisht në hotele, në krye të afërsisht 57 mijë në strehim afatgjatë për azil.
Sipas parashikimeve të qeverisë, rreth 53 mijë njerëz do t’i nënshtrohen dispozitave të projektligjit këtë vit.