New York Times publikoi një artikull për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe për lidhjet e klanit kriminal të Veljko Belivuk me udhëheqjen shtetërore, i cili ndodhi njëkohësisht me ardhjen në pushtet të SNS-it dhe Vuçiqit në vitin 2012.
Në fillim të muajit mars të vitit 2021, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, doli drejtpërdrejt në televizion së bashku me kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm.
Vuçiq tha se kishte një njoftim të rëndësishëm rreth shpërbërjes së një bande të nëntokës, e cila ishte përgjegjëse për vrasje të shumta, shkruan gazeta amerikane, transmeton Telegrafi.
“Ministri i Policisë i paralajmëroi shikuesit që t’i mbanin fëmijët larg televizorit, ndërsa në ekranin pas tij ishin fotot e kokave të prera, trupave pa kokë… Vuçiq lavdëroi policinë dhe shërbimet e inteligjencës dhe theksoi se ata për pak e shmangën vrasjen e tyre. Ishte një prezantim tronditës, edhe në një vend si Serbia. Megjithatë, ishte vetëm fillimi rrëqethës i fushatës së zbulimeve të tilla”, shkruan mediumi amerikan.
Pas kësaj, filluan të shfaqen detaje të vrasjeve në periferi të Beogradit, ku bandat torturonin, copëtonin dhe vrisnin njerëz.
“Kryetari i bandës ishte një huligan i madh, një tregtar kokaine, Veljko Belivuk, i akuzuar për vrasje dhe një sërë krimesh të tjera të rënda. Është përmendur se ai ka marrëdhënie të mira me policinë dhe shërbimet e inteligjencës. Ai dhe njerëzit e tij janë fotografuar në shoqërinë e njerëzve të fuqishëm, mes të cilëve edhe djali i presidentit, Danilo Vuçiq”, thuhet në tekst.
Belivuk më vonë tha se grupi i tij punonte për Vuçiqin, gjë që ishte e dukshme edhe nga transkriptet e gjykatës.
“Belivuk paralajmëroi se nëse Vuçiq vazhdon procedurat kundër tij, ai do të ketë shumë gjëra për të thënë”, shkruan gazeta.
Në një “intervistë të çuditshme televizive” disa muaj pas arrestimit të tij, ai pretendoi se njerëzit e Belivuk bënin “qebapë” prej viktimave të tyre dhe ia dërguan ato shefit të Belivuk, Radoj Zviter.
“Gangsterizmi që lulëzoi nën Vuçiqin, së bashku me kërcënimet periodike të Serbisë për të ‘mbrojtur’ serbët etnikë në pjesë të tjera të rajonit, mund të zbulojë përfundimisht zgjidhjen që solli paqen në Ballkan në vitin 1995. Evropianët e dinë mirë këtë, siç e di edhe Vladimir Putin, i cili ka arsye për t’i përçarë dhe penguar ata. Kremlini ka një histori të gjatë të mbështetjes së nacionalistëve serbë dhe tashmë ka më shumë motive – falë luftës në Ukrainë – për të nxitur telashe në Ballkan”, thuhet gjithashtu në tekst.
“Por rreziqet për Evropën janë më të thella se kaq: emblema e shovinizmit etnik dhe demagogjisë së Vuçiqit i bën jehonë asaj të aleatit të tij Putin dhe përhapja e demokracisë joliberale – tashmë duke u forcuar në pjesë të kontinentit – përbën një kërcënim të barabartë, ndoshta më të keq. Rasti Belivuk hapi një dritare të zymtë, në të cilën Vuçiq po minon nga brenda projektin evropian, duke ndërtuar një shtet ku demokracia është një fasadë dhe bandat kriminale përdoren për të përhapur frikën”, thuhet në tekst.
Përveç kësaj, gazeta shkruan se është dokumentuar në gjykatë se Belivuk dhe grupi i tij kanë marrë mbështetje nga Ministria e Brendshme në dhjetë vjetët e mëparshme.
Krahas kësaj, media amerikane sqaron se deklarimi se e gjithë kjo mund të kishte ndodhur pa dijeninë e Vuçiqit “shkakton të qeshura në Beograd”.
“Vuçiq ka pothuajse kontroll të plotë mbi të gjitha aspektet e jetës publike – nga parlamenti, përmes gjykatave, policisë, biznesit… Arrestimi i Belivuk dhe grupit të tij është ndoshta një nga vendimet e pakta në vitet e fundit që ai nuk i kontrolloi”, vazhdon ai.
New York Times pretendon se situata rreth Rusisë, Ukrainës dhe grupit mercenar rus Wagner e vendos Vuçiqin në një pozicion të fuqishëm nga i cili mund të vendos nëse do të qetësojë rajonin e Ballkanit apo do të ketë përsëri dhunë.
Gazetari i këtij mediumi sqaron se i është thënë para se të vinte në Serbi “se do t’i përgjohet telefoni dhe se mund të ndalohet dhe të merret në pyetje”.
“Vuçiq ka shfrytëzuar shkëlqyeshëm problemet e mafies serbe, duke krijuar një mjedis ku kufiri i paqartë mes krimit të organizuar dhe shtetit funksionon në favor të tij”, thuhet në tekst.
Përveç kësaj, kjo media me famë botërore shkruan se Belivuk mund të kishte mbetur një “ngacmues i vogël” nëse rrugët nuk i ishin bashkuar me Aleksandar Vuçiqin.
“Mjerisht, në vitin 2012, kur Vuçiq mori kontrollin e agjencive të sigurimit, një grup i ri huliganësh u shfaq në stadiumin e Partizanit dhe Belivuk iu kërkua t’i bashkohej, kur filloi ngritja e grupit të Janiçarit. Aty ku huliganët më parë kishin mbështetje joformale nga policia, kryesisht për trafik droge, lidhjet e këtij grupi të ri me shtetin ishin të drejtpërdrejta dhe politike. Belivuk dhe lideri i tij i ri, Aleksandar Stankoviq, i njohur më mirë si Mutavi, së shpejti filluan të bashkëpunojnë ngushtë me klientët e tyre në MPB. Në një korrespondencë, Belivuk theksoi besnikërinë e tij dhe bashkëbiseduesi i tij shkroi se shefi i madh e di këtë. Nuk dihet se kujt i referohet”, vijoi ai.
The Times shkruan se ndërsa Vuçiq konsolidoi pushtetin, ai gradualisht e transformoi Serbinë në një autokraci, e cila mbështetet nga raporti i Freedom House për vitin 2019.
“Megjithatë, kërkesa për pranimin e Serbisë në BE po shkonte sipas rrjedhës së vet, sikur burokratët nga Bashkimi Evropian nuk e kishin vërejtur se Vuçiq po shkonte në drejtim të gabuar. Një levë e rëndësishme e pushtetit për Vuçiqin janë mediat. Ai përdori kompaninë shtetërore të telekomunikacionit për të blerë stacione televizive lokale sikurse televizioni Pink, i cili është i specializuar për ‘Reality show’. Por, ky është mediumi më skandaloz dhe më i paturpshmi”, thuhet më tej.
Ky shkrim kujton se gjatë inaugurimit të Vuçiqit në vitin 2017, huliganë, duke përfshirë anëtarë të jeniçerëve, ndihmuan në largimin e protestuesve.
“Stili i qeverisjes së Vuçiqit po bëhej gjithnjë e më autoritar, ku personalitete të ndryshme shfaqnin besnikërinë ndaj tij”, thekson New York Times.