Dita e derbit Tirana-Partizani është kthyer në një telenovelë me të papritura. Pasi kishte përcaktuar datën 17 maj për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, federata mendoi ta afronte ndeshjen me 24 orë.
Supersfida e javës së 33-të u mendua të luhej më 16 maj, veçantë të gjitha përballjeve të tjera. Duke qenë se aty mund të vendosen fatet e titullit, një përballje e tillë e meritonte të kishte e vetme të gjithë vëmendjen.
Por, tjetër mendim kishte Policia e Shtetit. Duke qenë se në parim derbi do të luhej vetëm 48 orë pas zgjedhjeve lokale, forcat e rendit anuluan planin e menduar nga sektori i garave në FSHF.
Policia do ta kishte të pamundur të garantonte rendin dhe sigurinë e ndeshjes që tërheq më tepër tifozë, në një hark kohor kaq të shkurtër pas angazhimit me situatën zgjedhore.
Kjo bëri që data e derbit të kthehej sërish e mërkura e 17 majit. Ashtu siç ishte parashikuar në kalendarin fillestar të javëve të fundit të kampionatit. Tirana dhe Partizani do të zbresin në fushën e Arenës Kombëtare në orën 18:30, teksa katër sfidat e tjera të javës së 33-të do të luhen po atë ditë, por në orën 15:00, ashtu siç ishte programuar.
Tirana ka vetëm 2 pikë avantazh nga Partizani në renditje. Me një fitore të bardhebluve gara do të përfundonte, por ekipit të Shehit do t’i vlente edhe barazimi. Në anën tjetër, Partizani ka shansin që me një fitore në derbi t’i parakalojnë rivalët në renditje dhe të hedhë një hap të rëndësishëm drejt titullit.