Kryeministri Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, me të cilin ka biseduar edhe për procesin e dialogut me Serbinë.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti e ka njoftuar diplomatin kroat se në takimin e fundit të nivelit të lartë, që u mbajt javën e kaluar në Bruksel, ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazike, bazuar në modelin kroat të trajtimit të pakicave kombëtare serbe.
“Në lidhje me të, ai tha duke qenë vend anëtare e BE-se dhe e NATO-s, Kosova e sheh Kroacinë si tregim suksesi dhe model që duhet ndjekur për sa i takon të arriturave ekonomike dhe demokratike, por edhe për sa i përket respektimit të të drejtave të minoriteteve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në anën tjetër, Qeveria ka njoftuar se ministri kroat e ka uruar Kosovën për liberalizimin e vizave dhe kalimin me sukses të fazës së parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Ai tha sa vendi i tij përkrah Kosovën në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu kandidimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë.
Në këtë takim, ndër të tjera, Kurti ishte i shoqëruar edhe nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.