“Stuhia” ka mbërritur në Ukrainë. Bëhet fjalë për raketat e lundrimit me rreze të gjatë veprimi, “Storm Shadow”, të cilat sipas CNN, Britania e Madhe ia ka dorëzuar Kievit.
Kjo vjen përpara kundërofensivës së madhe, me të cilën Ukraina do të tentojë të rimarrë kontrollin mbi territoret e saj të pushtuara nga Rusia.
Reagimi i Kremlinit ishte i menjëhershëm, me zëdhënësin Dmitry Peskov që e konsideroi një zhvillim shumë negativ që “kërkon një përgjigje të duhur nga ana e forcave të armatosura të Rusisë”.
Megjithatë Kremlini konfirmon se situata në Ukrainë është shumë e vështirë dhe se është ende larg përmbushjes së objektivave. Gjithashtu Peskov përsëriti qëndrimin e vazhdueshëm rus, se këtë operacion special ushtarak janë detyruar ta nisin për shkak të gabimeve të Perëndimit.
Sakaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bën një hap pas në nisjen e kundërofensivës së madhe duke kërkuar më shumë kohë, në pritje edhe të ndihmave e armatimeve perëndimore.
“Me ato që kemi mund të shkojmë përpara dhe të jemi të suksesshëm. Por do të humbnim shumë njerëz. Unë mendoj se kjo është e papranueshme. Kështu që duhet të presim. Na duhet ende pak kohë,” deklaroi lideri ukrainas.
Por kreu i grupit famëkeq të mercenarëve rusë Wagner, Ivgjeni Prigozhin, thotë se Zelensky po mashtron, pasi sipas tij kundërofensiva e Kievit ka nisur.
“Kasapi” i Putinit paralajmëron Moskën që të shpejtojë dorëzimin e municioneve pasi nëse Bakhmuti bie në duart e ukrainasve, do ta kenë rrugën e lirë për të luftuar në Briansk dhe Belgorod, që janë dy rajone në territorin e Rusisë. Sulmet e fundit raketore në Bakhmut duket se kanë qenë shumë efikase, pasi në terren raportohet për një avancim të konsiderueshëm.
Nga ana tjetër, Kremlini po humbet durimin me Prigozhinin e grupit Wagner, për shkak të presioneve të tij dhe deklaratave kundër ushtrisë së Moskës se nuk mbron dot shtetin.
Vështirësitë në fushëbetejë i konfirmon dhe fakti që Rusia ka dërguar mbi 10 mijë të burgosur për të luftuar në Ukrainë gjatë këtij viti. Gjithashtu ushtria e Putinit ka rikthyer përdorimin bombave thërrmuese dhe kësaj here janë lëshuar në rajonin e Zaporizhzhias, ku gjendet dhe një impiant shumë i rëndësishëm bërthamor.