Kreu i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Bagdadi është vrarë gjatë një sulmi ushtarak amerikan në Siri, konfirmoi sot presidenti amerikan, Donald Trump.
“Al-Bagdadi u vra gjatë një sulmi të qëllimshëm në veri-perëndim të Sirisë”, deklaroi sot presidenti Trump gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
“Al-Bagdadi ishte ndjekur përmes një tuneli që të çonte në ndërtesën e tij, ku ai aktivizoi një jelek me eksplozivë duke shkaktuar një shpërthim vdekjeprurës”, tha Trump.
“Trupi i tij ishte shpërbërë, por testet kanë konfirmuar identitetin e Al-Bagdadi”, shtoi presidenti amerikan, Donald Trump.
Sipas një deklarate të Ministrisë turke të Mbrojtjes, Turqia dhe SHBA-ja kanë shkëmbyer informacione për një sulm të udhëhequr nga SHBA-ja në Idlib të Sirisë.
Al-Bagadi ka qëndruar i fshehur për rreth pesë vite, ndërkohë që SHBA-ja pasi e shpalli atë një “Terrorist” ka ofruar një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për informacione që mund të çonin në kapjen e tij.
Gjatë viteve të fundit, ka patur pretendime të shumta për vdekjen e Al-Bagdadi të cilat më vonë u provuan si të pavërteta./ATSH/