Ish-presidenti i vendit, Bamir Topi, ka folur me rezerva për kreun e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Sali Berisha, pas rezultatit të zgjedhjeve vendore.
Topi e cilësoi si shenjë të keqe reagimin e ftohtë të Berishës, ndërsa deklaroi se nuk sheh shenja reflektimi dhe dhimbje nga ana e këtij të fundit.
Ish-Kreu i Shtetit tha në një intervistë me Marsela Karapançon se kreu i PD-së nuk është më i njejti me atë që ka njohur.
“Gjithçka ishte e paralajmëruar, por kurrsesi në këto përmasa. Pavarësisht raporteve politike, e përcolla me dhimbje të gjithën sepse rezultatet në një farë mënyrë janë paralajmërim që gjërat nuk do të qëndrojnë kështu.
Gjendja është e zymtë. Nuk shoh shenja reflektimi në deklaratat e aktorëve politikë, i referohem zotit Berisha që e përcjell këtë situatë pa dhimbje, me një ftohtësi akull, nuk është më Berisha që kam njohur dhe kryetari i PD-së, që së bashku kemi kaluar shumë situata elektorale.
Sipas meje, të kesh një reagim të ftohtë, do të thotë që e prisje një rezultat të tillë dhe më e rënda, që çka ndodh lë të ndodhë sepse un kam një qëllim, të qëndroj, të mos reagoj siç do reagonte çdo politikan në botë. Vijojnë me retorikat, mi vodhën, është retorikë e ezauruar.
Nuk shoh të ketë shqetësim, do të thotë nuk ka më shpresë. Rezultati ishte kudo i tillë, këta njerëz nuk analizojnë, nuk reflektojnë. Berisha është inteligjent, njeri me shumë eksperiencë, por reagimi i tij i akullt e pa emocion është një shenjë shumë e keqe”, deklaroi ish-presidenti.