Kryetari i Bashkisë Tiranë, i cili në këto zgjedhje siguroi një mandat të radhës për drejtimin e kryeqytetit mbajti nga selia rozë fjalimin e fitores.
Gjatë fjalës së tij, Erion Veliaj theksoi se PS nuk fitoi vetëm bashkinë e madhe, por ka fituar masivisht në të 27 njësitë e kryeqytetit.
“Fituam 27 me zero. PS është forca zhvilluese që e çon jo vetëm Tiranën por çdo njësi tonën vetëm përpara. Çdo shqetësim për qytetin do të gjejë zgjidhje duke nisur nga nesër.”
Veliaj nuk ngurroi që të falënderonte skuadrën e patronazhistëve dhe aktivistëve për punën, që sipas tij, kanë bërë në rrugicat dhe lagjet e qytetit. Kryebashkiaku përmendi edhe “stadiumet bosh” të kundërshtarit politik teksa shtoi se mitingjet e PS, sipas tij, në disa raste ishin edhe me kosto zero.
Megjithatë, Veliaj theksoi se do të jetë kryebashkiaku edhe i demokratëve.
Kreu i bashkisë Tiranë tha po ashtu se i shtrin dorën e bashkëpunimit kundërshtarëve të tij politikë në garën për kryeqytetin, Belind Këlliçit, Roland Bejkos, Lajla Përnaskës, Arlind Qorit dhe Marko Dajtit.
Kreu i bashkisë Tiranë tha po ashtu se i shtrin dorën e bashkëpunimit kundërshtarëve të tij politikë në garën për kryeqytetin, Belind Këlliçit, Roland Bejkos, Lajla Përnaskës, Arlind Qorit dhe Marko Dajtit.
Sipas shifrave të afishuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Erion Veliaj në garën për kryeqytetin fitoi 158,743 vota, ose 54.69% të votave, kandidati i “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçi siguroi 100,376 vota ose 34.58 %, Arlind Qori nga Lëvizja Bashkë siguroi 13,842 vota, Roland Bejo nga PD-ja zyrtare siguroi 12,389 vota, dhe Lajla Përnaska mori 2809 vota.