Kryeministri shqiptar Edi Rama ka komentuar sërish vendimin e Bashkimit Europian për mosçeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Rama tha se ky vendim goditi jo pak besueshmërinë e BE, duke shtuar se dobësoi pozicionin e unionit për të ndikuar në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha gjithashtu se Shqipëria e meritonte hapjen e negociatave, ndërsa shtoi se ata që nuk e kuptojnë kanë nevojë për kurim. Rama shtoi se kjo BE ka mungesë kapaciteti për të mbajtur fjalën, duke përmendur mosliberalizimin e vizave për Kosovën.
“Pas vendimit të KE në 18 tetor pozicioni i BE në konfliktin Kosovë-Serbi është dobësuar tej mase dhe kapaciteti i BE për të ndikuar në procesin e dialogut është tkurrur tej mase sepse BE me vendimin e marrë apo mos vendimin që rezultoi pas një debati të nxehtë mes veti në raport me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut i dha një goditje jo të vogël besueshmërisë së vet. Nuk është hera e parë, por bëhen disa herë për hir të vërtetës që BE nuk mban fjalën. Dhe në rastin e Kosovës besoj që kemi një nga shembujt më flagrantë të mungesës së kapacitetit për të mbajtur fjalën sepse në fund të ditës nuk duhet të harrojmë që nuk është një shtet është një tërësi shtetesh që funksionon në bazë të konsensusit”, deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.