Pa dhënë shpjegim të saktë se në bazë të cilës pjesë të statutit thirren, Kryesia Qëndrore e BDI-së ka vendosur që të përjashtojë pesë anëtarë nga partia. Në Kumtesën e lëshuar nga Reçica e vogël është përdorur termi vetëpërjashtim.
“Kryesia Qëndrore konstaton dhe shpreh keqardhje të thellë për vendimin e pesë anëtarëve të Kryesisë për vetëlargim nga Kryesia Qëndrore e Bashkimit Demokratik për Integrim, vendim që ata e morën në mbledhjen e KQ në 1 Prill 2023.”
Vetë Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në Prill të këtij viti deklaroi se fraksionet në BDI nuk lejohen sepse nuk janë pjesë e statutit të partisë, e kjo e bën fraksionin që e shpallën “Grupin e Zjarrit” organizim politik inekzistent.
“BDI është parti që respekton vlerat dhe demokracionë gjithashtu edhe mendimin kundër. Sa i takon fraksionit unë kam pasur një tentim të tillë në kongres por me vota humba, sipas vendimeve të Kongresit nuk lejohet të ketë fraksione dhe andaj nuk do vazhdojë kjo por duhet të pritet deri te Kongresi i radhës, çdo veprim ndryshe nga statuti është anarki, anarkia është kundër demokracisë, pra parimi është pakica i bindet shumicës.”
Nga “Grupi i Zjarrit” pritet që të dalin me qëndrim, por burime brenda këtij grupi thonë që edhe ata e kanë të paqartë vendimin e partisë.
Në të njëjtën mbledhje, Kryesia e BDI-së ka shpallur edhe zgjedhjet në degët e partisë që duhet të mbahet më 2 Korrik të këtij viti. Në të njëjtën seancë kur përjashtohen kryetarët e degës së Sarajit dhe ai i Çairit, shpallen zgjedhjet për kryetarë të degëve. Mbetet të shihet se a do të ketë dhe se a do t’iu mundësohet të përjashtuarve që të marrin pjesë në këto zgjedhje. BDI përjashton “Grupin e Zjarrit”