Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë një qendër kryesore tregtare për arin rus, që në nisje të saksioneve ndaj Rusisë.
Të dhënat e doganave ruse, raporton Reuters, të cilat përmbajnë detaje të gati 1 mijë dërgesave ari në vitin kur filloi lufta në Ukrainë, tregojnë se shteti i Gjirit importoi 75.7 ton ar rus me vlerë 4.3 miliardë dollarë, nga vetëm 1.3 ton gjatë vitit 2021.
Kina dhe Turqia ishin destinacionet e radhës më të mëdha, duke importuar rreth 20 ton secila nga 24 shkurt 2022 deri më 3 mars 2023. Me Emiratet e Bashkuara Arabe, të tre vendet përbënin 99.8% të eksporteve të arit rus në të dhënat doganore për këtë periudhë.
Në ditët pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, shumë banka shumëkombëshe, ofrues logjistikë dhe përpunues të metaleve të çmuar ndaluan trajtimin e arit rus, i cili zakonisht ishte dërguar në Londër, një qendër tregtare dhe magazinimi ari.
Shoqata e Tregut të Shufrave në Londër ndaloi shufrat ruse të prodhuara nga 7 marsi i 2022-shit dhe deri në fund të gushtit, Britania, Bashkimi Evropian, Zvicra, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Japonia kishin ndaluar të gjitha importet e shufrave ruse.
Të dhënat e eksportit tregojnë, megjithatë, se prodhuesit rusë të arit gjetën shpejt tregje të reja në vendet që nuk kishin vendosur sanksionendaj Moskës, si Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia dhe Kina.
Louis Marechal, një ekspert i gjetjes së arit në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, tha se ekziston rreziku që ari rus të shkrihet dhe të ripërpunohet dhe më pas të gjejë rrugën e tij për t’u kthyer në tregjet amerikane dhe evropiane me origjinën e tij të maskuar.
“Nëse ari rus hyn, ripërpunohet nga një përpunues lokal, me burim nga një bankë apo tregtar lokal dhe më pas shitet në treg, atëherë ju keni një rrezik. Kjo është arsyeja pse kryerja e kujdesit të duhur është thelbësor për t’i dhënë fund blerësve që dëshirojnë të sigurojnë se respektojnë regjimet e sanksioneve”, tha ai.
Komiteti i Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për Shufrat e Arit tha se shteti operoi me procese të qarta dhe të fuqishme kundër mallrave të paligjshme, pastrimit të parave dhe subjekteve të sanksionuara.
“Emiratet e Bashkuara Arabe do të vazhdojnë të tregtojnë hapur dhe me ndershmëri, me partnerët e saj ndërkombëtarë, në përputhje me të gjitha normat aktuale ndërkombëtare të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara”, thuhet në deklaratë.
Në një përpjekje për të izoluar më tej Rusinë, Uashingtoni ka paralajmëruar vendet, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë, se mund të humbasin aksesin në tregjet e G7 nëse bëjnë biznes me subjektet që i nënshtrohen sanksioneve të SHBA-së.