Dhjetë persona vdiqën dhe një tjetër është në gjendje kritike për jetën, pas një zjarri të fuqishëm, që përfshiu mbrëmjen e së hënës një ndërtesë në Paris.
Një banore e godinës me probleme mendore është ndaluar. Ndalimi i gruas, e dyshuar se mund të jetë shkaktarja e zjarrvënies së qëllimshme, u pezullua në mesditë për t’u shoqëruar në infermierinë psikiatrike të prefekturës së policisë, njoftoi prokuroria e Parisit.
Ky është rasti më tragjik i shënuar në Paris prej 14 vitesh.
Forcave zjarrfikëse iu nevojitën pesë orë për të marrë nën kontroll situatën, ku u regjistruan 33 të plagosur, përfshirë tetë punonjës të zjarrfikëses. Mbi pesëdhjetë persona u evakuuan me urgjencë nga godina me ndihmën e shkallëve të mëdha.