Numri i të huajve që vijnë për të punuar në Shqipëri është 2-fishuar në gjashtë vitet e fundit.
Të dhënat nga Agjencia e Punësimit dhe Aftësive tregojnë se nga pak më shumë se 3 mijë në 2017-n, numri i të huave të pajisur me leje pune në vend arriti në mbi 6 mijë e 400 vitin e shkuar.
Alla Simacheva, është një e re ruse që po e zhvillon karrierën e saj në Tiranë.
“Shqipëria të jep mundësi. Në fakt mendoj se për sa i përket zhvillimit të karrierës secili vend të jep mundësi. Ne mund të arrijmë një tavan duke ngjitur shkallët. Puna në jep mundësi për t’u zhvilluar profesionalisht”, u shpreh Alla Simacheva, shtetase ruse që jeton në Shqipëri.
Mirëpo për eksperten e tregut të punës, Gertyjana Hasalla, rastet si Alla janë të pakta.
Pjesa më e madhe e atyre që vijnë, nuk kanë për synim qëndrimin në Shqipëri.
“Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që Shqipërinë po e shikojnë si një vend transit drejt Perëndimit”, shprehet Gerta Hasalla, eksperte e tregut të punës.
Rrjedhimisht kjo përkthehet në investuar të çuar dëm nga sipërmarrjet shqiptare.
“Sepse përveç se duhet t’i marrin nga jashtë duke shpenzuar goxha para’ duhet të paguajnë për trajnimet e tyre etj”, Gerta Hasalla, eksperte e tregut të punës.
Pjesa më e madhe e të huajve të pajisur me leje sipas të dhënave nga Agjencia e Punësimit dhe Aftësive rezulton të jetë punësuar në ndërtim, ndjekur nga sektorët e tregtisë dhe arsimit. Italianët, qytetarët nga Kosova, Britania e Madhe dhe Rumania janë edhe ata që po tregojnë më shumë interes për t’u punësuar në vend.