Qytetarët dhe turistët në Venecia u përballën mëngjesin e së dielës me një pamje të pazakontë të ujit në kanalet e famshme të qytetit italian, pasi ai kishte marrë ngjyrë jeshile fluoreshente.
Autoritetet vendase kanë marrë mostra të ujit me ngjyrën e çuditshme kanë kryer menjëherë analizat. Teoritë për këtë fenomen kanë qenë menjëherë të shumta, nga lëshimi i bojës te një protestë e aktivistëve në mbrojtje të mjedisit.
Mediat italiane kanë raportuar se policia po kontrollon kamerat e sigurisë për të parë nëse dikush mund të ketë hedhur bojë.
Shumë përdorues të mediave sociale thanë se imazhet që u publikuan nga Venecia të kujtonin vitin e largët 1968, atëherë kur artisti argjentinas, Nicolás García Uriburu, ngjyrosi ujërat e Kanalit të Madh në të gjelbër për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet ekologjike.