Forcat e Armatosura Serbe vijojnë të mbeten në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake pas tensioneve në veri të Kosovës.
Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç tha sot se formacionet e ushtrisë do të vendosen plotësisht përgjatë vijës administrative deri në orën 14:00 të 29 majit.
“Ata do të jenë të përgatitur për të kryer çdo detyrë dhe urdhër që vjen nga Komandanti Suprem me shpresën se do të gjendet një zgjidhje politike,” u ministri.
Ministri serb shtoi gjithashtu se KFOR po mbron Policinë e Kosovës dhe kryetarët e rinj të komunave. Edhe kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç tha se situata në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më e tensionuar dhe e vështirë se tani.
Brnabiç tha se serbët kanë ruajtur qetësinë, por shtoi se forcat e Kosovës dhe KFOR po presin që serbët të bëjnë diçka që të reagojnë.
“Faleminderit serbëve në Kosovë që është kaq dinjitoz, që është frymëzues, që është paqësor, që bën rezistencë jo të dhunshme, që lufton për emrin dhe mbiemrin e tij, për shtëpitë, vatrat e tyre dhe për shtetin e tyre Serbia falë asaj rezistence jo të dhunshme, më duket se njësitë speciale të Kosovës, por fatkeqësisht edhe KFOR-i, d.m.th NATO, mezi prisnin që serbët të bënin diçka që të mund të reagoni”, tha Brnabiç, raporton Tanjug.
Tensionet në veri nisën pas hyrjes së kryetarëve të rinj të komunave Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok në institucionet, ku serbët nuk lejuan që kjo të ndodhte. Për këtë ndërhyri policia e Kosovës ku u përdor edhe gaz lotsjellës.
Për tensionet në veri të Kosovës, pati reagime të shumta nga ndërkombëtarët, ku SHBA dhe BE dënuan ndërhyrjen e dhunshme të policisë së Kosovës dhe kërkuan të shmangen provokimet.