“Jemi të hapur për të gjithë instrumentet që garantojnë rrugën përpara, rrugë që kalon përmes miratimit të reformës zgjedhore, garantimit të vullnetit politik, më e rëndësishmja për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare”, ka deklaruar sot kryetari i PD-së Lulzim Basha pas takimit me raportuesit e KiE-s në selinë e PD-së.
Në një prononcim për mediat, Basha tha se u fokusuam te zgjidhja e krizës politike, gatishmëria e opozitës për të dhënë kontributin e saj për një reformë të vërtetë zgjedhore që do t’ia kthejë sovranitetin qytetarëve, dhe do të mundësojë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, një parlament legjitim, një qeveri legjitime, sundimin e ligjit, demokracinë si kushtet për një bashkëjetesë demokratike për mirëqenie për punësim, për ekonominë dhe po kështu për hapjen e rrugës së bllokuar drejt anëtarësimit në BE
Përsa i përket se kur do mbahen zgjedhjet e parakohshme, Basha tha se kjo nuk është çështje dëshire, por e vullnetit të të gjitha palëve.
“Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar kanë propozuar një plan prej 5 pikash, për të përshpejtuar fazën e parë atë të reformës zgjedhore dhe pastaj duke iu garantuar qytetarëve shqiptarë lirinë e votës, duke iu garantuar qytetarëve të gjitha kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mbajtjen sa më parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, tha ai
Më tej Basha tha se “E kam thënë se në Shqipëri janë përvijuar dy qëndrime. Qëndrimi i një shumice absolute, jo thjeshtë dhe vetëm i opozitës por dhe të socialistëve se kështu nuk mund të vazhdohet më, se kjo situatë është e paqëndrueshme, e padurueshme dhe duhet një zgjidhje dhe qëndrimi i një pakice absolute që nuk do ndryshim, do ta mbajë Shqipërinë në këtë gjendje, sepse nga kjo gjendje kërkojnë të përfitojnë”.
“Dështimet e një pas njëshme të kësaj qeverie, duke përfshirë dështimin e hapjeve të negociatave i paguajnë shqiptarët. Prandaj është koha por të marrë vendimet e duhura për vendi, është koha për të vendosur interesin e vendit mbi interesat politike. Nuk mund të vazhdojë më gjatë kështu”, tha ai.
Në lidhje me kryetarin e bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, Basha tha se e rëndësishme është pse Kajmaku i Vorës mbahen në detyrë dhe për këtë duhet t’i drejtoheni Edi Ramës.
“Kjo tregon se ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Një nënë në fshatrat e Tiranës merret e keqtrajtohet se shet një tufë sallatë, ndërkohë që pushtetarët e kapur në ne afera korruptive apo në shkelje të ligjit të dekriminalizimit nuk i hynë ferrë në këmbë. Kjo situatë duhet të marrë fund, rivendosja e barazisë para ligjit e shtetit ët së drejtës dhe e demokracisë janë jetike për të zhvilluar një jetë normale dhe shanse e mundësi e punësim për ëdo shqiptar.
Përsa i përket reformës zgjedhore dhe një tryezë të gjerë me mazhorancën, Basha theksoi se “Ne jemi të hapur për të gjithë instrumentet që garantojnë rrugën përpara, rruga që kalon përmes miratimit të reformës zgjedhore, garantimit të vullnetit politik, më e rëndësishmja për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve vendore të mbajtura në një ditë”.
“Ajo që ka rëndësi sot është se kemi një opozitë që përfaqëson interesin e shumicës së shqiptarëve, që ka dorëzuar pushte për të garantuar interes publik dhe që është e vendosur për të ecur përpara në rrugën e ndryshimit. Kështu nuk mund të vazhdohet më”, tha ai./ATSH/