Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se asnjë biznes nuk do të lejohet që të prodhojë qese njëpërdorimshe, kjo pasi që prej qershorit të 2022 është e ndaluar. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë sqaron se Task Forca është në terren për të kontrolluar çdo biznes që shkel ligjin, duke theksuar se nuk do të ketë tolerim ndaj askujt.
“Asnjë tolerim ndaj askujt që shkel ligjin duke vazhduar ende me prodhimin, importimin apo tregtimin e qeseve plastike njëpërdorimshe, tashmë kategorikisht të ndaluara. Pas një fushate shembullore të informimit publik dhe ndërgjegjësimit të shumicës prej qytetarëve mbi rëndësinë e jashtëzakonshme të reduktimit të plastikës, TASK FORCA vazhdon punën çdo ditë në terren për të kontrolluar subjektet që vazhdojnë avazin e vjetër kokëfortë të moszbatimit të ligjit”, shkruan kryeministri Edi Rama.
Qeset plastike njëpërdorimshe u ndaluan nga 1 qershori 2022. Çdo biznes që hedh në treg, prodhon apo importon qese plastike njëpërdorimshe dënohet me gjobë nga 1 milion deri në 1500000 mln lekë, e ndërsa çdo person që përdor këto qese dënohet me gjobë nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë. Kjo masë u mor për të mbrojtur mjedisin.