Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC) në ShBA, John Kirby, ka folur për situatën në veri të Kosovës.
Në një konferencë për media, ai tha se ShBA-ja dëshiron të shohë situatë të depërshkallëzuar dhe që dhuna të ndalojë.
“Nuk i kam parë komentet e kryeministrit, por do t’i përsëris reagimet tona se të gjitha palët duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për depërshkallëzim. Ne dënojmë fuqishëm sulmet e djeshme ndaj trupave të NATO-s, KFOR-it”, tha ai.
Sipas tij, këto sulme që lënduan disa paqeruajtës, janë absolutisht të papranueshme.
“Kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës duhet të sigurohen që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe t’i largojnë forcat policore nga afërsia”, tha Kirby.
Ai tha se Serbia duhet të ulë nivelin e statusin e forcave të armatosura.
“Ky është reagimi ynë. Mendoj se është e vështirë të mendohet se kjo është hiperbolike në çfarëdo mënyre”, tha Kirby.