Kryeministri Edi Rama ka mbërritur këtë të enjte (1 qershor) në Moldavi, për takimin e dytë për Komunitetin Politik Europian, ku do të marrin pjesë liderët e 47 shteteve. Në fokus të këtij takimi, do të jetë lufta në Ukrainë dhe tensionet në veri të Kosovës.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me Presidenti serb Aleksandër Vuçiç para nisjes së takimit të EPC-së.
Ka qenë presidenti serb ai i cili teksa ka ndarë pamje nga takimi kokë më kokë me Ramën, shkruan se tensionet në veri ishin kryefjalë e diskutimit mes tyre. Vuçiç shpreson në kontributin e rajonit për gjetjen e një zgjidhje.
“Ne në rajon e dimë më së miri se sa e rëndësishme është që bashkërisht të bëjmë çdo përpjekje për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e fituar me vështirësi. Diskutuam ngjarjet aktuale dhe hapat e mëtejshëm që do të kontribuonin në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën aktuale të vështirë dhe serioze, me shpresën se arsyeja do të mbizotërojë, në të mirë të të gjithëve”, shkruan Vuçiç.
Sakaq, gazetarja e RTSH Denada Shkodrani, e cila po ndjen nga afër zhvillimet, ka vënë theksin te rëndësia e takimit të sotëm mes liderëve europianë e ndërkombëtarë, kjo për faktin se pjesë e takimit do të jetë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, në një moment kyç të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Nuk dihet nëse mes Osmanit dhe Vuçiç do të ketë një takim, ndërsa gazetarja Shkodrani, mëson se presidenti turk Tayip Erdogan ka marrë përsipër ndërmjetësimin për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në samitin në Bratislavë ishte parashikuar që të mbahej një konferencë e përbashkët mes Kryeministrit Edi Rama, Presidentit serb dhe kryeministrit të Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski, por për shkak të mungesës së Aleksandër Vuçiç, konferenca nuk u zhvillua.
Dhe nuk dihet ende nëse tre liderët do mbajnë sot një konferencë të përbashkët.