Meteorologët e AccuWeather kanë parashikuar motin për sezonën e verës në Evropë, duke përfshirë situatën e parashikuar në Ballkanin Perëndimor.
Pjesa më e madhe e kontinentit të vjetër mund të përballet me thatësirën, por në Ballkan priten stuhi dhe për pasojë përmbytje.
Në hemisferën veriore, vera do të fillojë më 21 qershor, afërsisht tre javë pas fillimit të verës meteorologjike më 1 qershor.
Moti i verës do të nisë me shpejtësi në të gjithë Evropën qendrore dhe veriore, ndërsa zonat juglindore mund të përjetojnë një kalim më të ngadaltë në sezonin e ri.
A do të jetë edhe viti 2023 viti i temperaturave rekord të verës?
Duke qenë se viti 2021 dhe 2022 thyen të gjitha rekordet për verën më të nxehtë të regjistruar në kontinentin evropian, shumë po pyesin nëse viti 2023 do të jetë gjithashtu një vit me nxehtësi rekord.
Edhe pse në prill të këtij viti Spanja tashmë vendosi një rekord për temperaturën më të lartë gjatë këtij muaji të regjistruar ndonjëherë në Evropë, meteorologët nuk presin që viti 2023 të jetë një vit tjetër me temperatura ekstreme.
“Nxehtësia ekstreme pritet të jetë më pak e shpeshtë në të gjithë kontinentin se në vitet e fundit. Do të ketë raste kur bëhet nxehtë, por nuk ka gjasa të përsërisë nxehtësinë ekstreme të verës së kaluar”, thotë meteorologu Tyler Roys.
Megjithatë, ajo për të cilën paralajmëron AccuWeather janë netët më të ngrohta se zakonisht me temperatura që priren të jenë mbi mesataren historike gjatë verës në Evropë.
Nga ana tjetër, Evropa Lindore është e sigurt në këtë drejtim pasi temperaturat pritet të jenë afër mesatares historike dhe pa valë të të nxehtit. Këtu përfshihen Hungaria dhe Rumania.
Verë e thatë dhe e ngrohtë
Vera pritet të jetë më e thatë dhe më e nxehtë se mesatarja historike, gjë që mund të shkaktojë zjarre në Skandinavi, e cila nuk është e ‘gatshme’ për t’u përballur me modele të tilla motit.
Qershori dhe korriku do të jenë muajt më të thatë, pas të cilëve pritet lehtësim i reshjeve.
Ata që kanë më shumë nevojë për reshje, si Spanja dhe Italia, duket se nuk do të kenë lehtësim këtë vit në fund të fundit.
Stuhi në Ballkan
AccuWeather thekson Francën veriore, Gjermaninë, Poloninë dhe shtetet e Ballkanit si korridorin që ka më shumë gjasa të përballet me reshje më të shpeshta dhe kushte më të këqija atmosferike në krahasim me pjesën tjetër të Evropës.
“Reshjet duhet të jenë afër mesatares historike për pjesën më të madhe të këtij rajoni, gjë që do të jetë një lajm i mirë për të mbjellat në të gjithë Ballkanin”, thotë Roys.
Megjithatë, në Ballkan, stuhia mund të rezultojë me përmbytje të shpejta pasi reshjet rriten mbi mesataren historike për këtë sezon.
“Zona nga Franca veriore në Ballkan është më e rrezikuar prej motit të ashpër për sa i përket stuhive që mund të shkaktojnë erëra të forta dhe breshër”, tha Roys.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ballkanasit duhet të humbin çdo shpresë se do të shijojmë verën dhe pushimet vjetore sepse sigurisht që do të ketë ditë të bukura dhe me diell për këtë gadishull.