Në mesin e tensioneve që kanë përfshirë veriun e Kosovës, të dërguarit e posaçëm të SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin.
Qëllimi i vizitës, është të nxisin palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën në komunat veriore, ku prej më shumë se një jave po mbahen protesta kundër kryetarëve shqiptare.
Këtë të hënë, dy zyrtarët e lartë do të vizitojnë Kosovën, ku siç bëhet e ditur, do takohen me kryeministrin Albin Kurti në orën 20:00 të mbrëmjes.
Të martën do të nisen drejt Beogradit për të zhvilluar bisedime me presidentin Vuçiç. Në një intervistë për BBC një ditë më parë, Escobar tha se tensionet mund të shmangeshin, ndërsa bëri përgjegjëse kryesisht Kosovën.
Komuniteti ndërkombëtar ka shtuar trysninë ndaj Kosovës, për zgjidhjen e krizës në veri duke avancuar 3 kërkesa të qarta; mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, pjesëmarrjen e serbëve dhe krijimin e asocacionit.
Ndërsa kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani kanë sinjalizuar se zgjedhjet mund të mbahen, Lista serbe tha të hënën se do të marrë pjesë kur të plotësohen dy kushte; tërheqja e njësive speciale nga veriu dhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.