24 vjetori i çlirimit/ Mehaj: FSK-ja, zgjatim i UÇK-së! Ndjekim standardet e NATO-s
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka deklaruar se përpjekjet e gjata të disa brezave ndër dekada, kulmuan me luftën e UÇK-së dhe me fushatën bombarduese të NATO-s mbi Jugosllavi për të bërë të mundur çlirimin e Kosovës.
Sipas tij, FSK-ja e sotme është zgjatim i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës teksa sot ka marrë trajtën e një raporti të mirëfilltë mes aleatësh ushtarakë e partnerësh strategjikë.
Ai ka vënë në dukje se Forca e Sigurisë së Kosovës, si zgjatim i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, asaj ushtrie që e bëri NATO-n të futej në luftë për lirinë e Kosovës, “po zhvillohet me trajnime ushtarake, kapacitete luftarake dhe aftësi ndërveprueshmërie sipas standardeve më të larta të NATO- dhe veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit tonë kyç dhe jetik”.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj shkruan se Prishtina sot është kryeqendra politike e Kosovës ndërsa vijon aleanca mes NATO dhe UÇK-së, si dhe trashëgimtares së saj, FSK-së.
“24 vite pas çlirimit të qytetit, Prishtina sot është kryeqytet i Republikës së Kosovës, shtetit më të ri evropian. Por, Prishtina është edhe kryeqendra jonë politike prej ku vazhdon të mirëmbahet ajo aleancë e lidhur që më 1999, mes NATO-s dhe UÇK-së, përkatësisht trashëgimtares së saj, FSK-së”, shkruan ai.