Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot me votë unanime heqjen e mandatit kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, pasi rezulton se mashtroi në formularin e dekriminalizimit.
Pas diskutimeve në mbledhje, ku vetë Kajmaku nuk ishte i pranishëm, por përfaqësohej nga avokati i tij, KQZ vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandatit të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.
Nga ana e tij, avokati i Kajmakut kërkoi nga KQZ konfirmimin e Agim Kajmakut në detyrën dhe lejimin e tij për ta ushtruar detyrën e kryebashkiakut të Vorës.
Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e dekriminalizimit.
Prokuroria e Përgjithshme pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.
Agim Kajmaku tashmë ka 45 ditë kohë të ankimojë vendimin e KQZ-së./ATSH/