Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi mori pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën. Duke njoftuar për këtë takim, zoti Peleshi u shpreh se “së bashku me aleatët jemi të vendosur në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajon”.
“Sërish së bashku me aleatët tanë, në Grupin e Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën, nën drejtimin e Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd J. Austin III për të rikonfirmuar mbështetjen diplomatike, politike, ushtarake, ekonomike dhe sociale për Ukrainën. Të vendosur në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë” shkruajti zoti Peleshi në rrjetet sociale.
Grupi i Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën (UDCG), është një iniciativë e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA, që mbledh së bashku aleatë dhe partnerë nga e gjithë bota, për të diskutuar mbi bashkëpunimin dhe sfidat e sigurisë që duhen përballuar si pasojë e agresionit rus në Ukrainë.