Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka dënuar sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë një ditë më parë, duke u shprehur se brutaliteti i dhunës fizike ishte tronditës.
Ambasadori gjithashtu tha se ky sulm duhet të ishte dënuar edhe nga Lista Serbe.
“Brutaliteti i kësaj skene është tronditës. Ku duhet të përfundojë kjo? Shumë e kanë dënuar këtë akt të papranueshëm dhune, por fatkeqësisht deri më tani nuk shoh asnjë reagim nga përfaqësuesit e LS-së. Pse?”, shkruan Rohde në Twitter.
Gazetarja e Radio Televizionit të Kosovës, Venera Xhoxhaj, bashkë me reporterë dhe kameramanët u sulmuan nga protestuesit serbë të premten (16 qershor).
Dhuna ndaj gazetarëve erdhi pak minuta pas raportimit nga Leposaviqi të gazetares Xhoxhaj për Radio Televizionin Shqiptar. Pas këtij raportimi ata u sulmuan nga protestuesit, ku pësoi lëndime kameramani i RTK-së, pasi u godit në trup dhe kokë.