Robin Krasniqi tashmë na ka njohur me kundërshtarin që do të ndeshet më 5 gusht në stadiumin e Prishtinës, “Fadil Vokrri” dhe ai është boksieri me pasaportë franceze, Nadjib Mohammedi.
Krasniqi së bashku me menaxherin e tij, ekipin kundërshtar dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, mbajtën një konferencë për media.
Rama tha se ky do të jetë një ndër organizimet më të mëdha në Prishtinë.
“Është me të vërtetë kënaqësi e veçantë dhe emocion i veçantë me qenë këtu. Dua ta përshëndes më së pari kampionin tonë, Robin Krasniqin, që na ka mundësuar që të jemi këtu”, tha fillimisht kryetari i Prishtinës.
“Ndihem shumë krenar që për herë të parë po organizohet një event i tillë për herë të parë që nga paslufta”.
“E dini që Prishtina dikur ka qenë një arenë e zjarrtë e boksit dhe kemi pasur boksierët më të mirë në ish-Jugolsllavi dhe në botë”.
“Ideja e Robinit që ta mbajë këtë meç në Prishtinë, jo vetëm që ka qenë një iniciativë fantastike e tij, por kryeqyteti e përkrah me gjithë zemër dhe së bashku do të mundësojmë që Prishtina të jetë me të vërtetë në nivelin botëror për meçe të tilla edhe në të ardhmen”.
“I ftoj të gjithë që të na përkrahin me 5 gusht për të qenë prezent në një fitore të madhe të Krasniqit”, tha mes tjerash i pari i Prishtinës.