Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka propozuar një listë që sipas aleatëve të demokratëve zgjidh krizën politike në vend në plan afatgjatë.
Duke folur nga Asambleja Kombëtare e Partisë Republikane, Mediu propozoi ndër të tjera ngritjen e një Komiteti Kombëtar për integrimin europian, përfundimin me konsensus të Reformës Zgjedhore, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore 100 ditë para zgjedhjeve, sipas modelit maqedonas.
Mediu u shpreh gjithashtu se nevojitet kufizimi i mandatit të Kryeministrit dhe deputetëve.
Zgjedhja e Presidentit të Republikës drejpërdrejt nga populli, krijimi i një sistemi parlamentar me dy dhoma, Senat dhe dhomë e përfaqësuesve, si dhe rishikimi i Reformës Administrative, ishin disa nga kërkesat e tjera të parashtruara nga kreu i PR./ATSH/