Kriza e krijuar në veri të Kosovës pas protestave të serbëve ndaj vendosjes në zyrat e tyre të kryetarëve të komunave të sapozgjedhur dhe dhuna e ushtruar ndaj KFOR-it, policisë dhe gazetarëve si dhe rrëmbimit të tre efektivëve të Kosovës nga forcat serbe, ka vendosur në lëvizje faktorin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje të kësaj situate.
Për këtë arsye, Miroslav Lajçak i Dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë ka udhëtuar drejt Uashingtonit ku do të takohet me të Dërguarin e Shteteve të Bashkuara për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar.
Escobar dhe Lajcak do të marrin pjesë ditën e nesërme në orën 15:00 në Këshillin Atlantik për të diskutuar mbi zhvillimet në veri të Kosovës, dialogun Beograd-Prishtinë, bashkëpunimin mes SHBA dhe BE-së në rajon.
Në njoftimin e Këshillit Atlantik shpjegohet se në këtë takim do të diskutohet se si “të sigurohet zbatimi i marrëveshjeve të Ohrit dhe Brukselit. Për më tepër, ky event do të ofrojë njohuri se si SHBA dhe BE synojnë të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve dhe të gjejnë zgjidhje të mundshme që Serbia dhe Kosova të krijojnë marrëdhënie më të qëndrueshme”
Gjithashtu, po në njoftimin e Këshillit Atlantik vihet në dukje se progresi i fundit në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përmes dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja kërcënohet nga përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës.