Përfitimi mjekësor nga kanabisi nuk është shërues por trajtues për disa simptoma të caktuara në disa sëmundshmëri. Mjekët toksikologë të QSUT thonë se në varësi të përqindjes së caktuar të dy elementëve kimik që përmban kanabisi, përcaktohet edhe lloji i trajtimit.
“Mund të përdoret në disa forma të rënda të epilepsive, mund të përdoret për trajtimin e të vjellave tek pacientët me kancer që janë në kimioterapi apo edhe për trajtimin e gjëndjeve të ankthit, depresioni madhor, më së shumti për trajtimin e sëmundjeve terminale”, tha Esmeralda Thoma toksikologe në QSUT.
Por sipas mjekes, rreziku i keqmenxhimit farmaceutik dhe abuzimit me këtë substancë është shumë i lartë.
“Rreziku i abuzimit më këtë substancë është shumë i lartë si me të gjitha llojet e drogave. Kanabisi futet në kategorinë e parë të drogave të cilat kanë potencial të madh abuzues. Kanabisi vazhdon të mbetet prej vitesh e para në radhë si droga më e abuzuar por kjo ndodh kryesisht mes moshave të reja, adoleshentëve. Edhe nga raporti i fundit i dy ditëve më parë i EMCDA-së, vihet re që kanabisi në të gjithë Europën, si edhe në Shqipëri, është droga më e përdorur”, shtoi Thoma.
Në Shqipëri kanabisi mjekësor nuk është i licensuar si një mënyrë trajtimi për asnjë diagnozë.