Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka folur për raportet e Maqedonisë së Veriut me liderët shqiptar të Ballkanit. Grubi marrëdhëniet me liderët e Shqipërisë, Malit të Zi e Luginën e Preshevës i cilësoi si të shkëlqyeshme.
“Marrëdhëniet tona me Shqipërinë janë të shkëlqyera, dhe vërtetë ka impakt rajonal politika të cilën po e zhvillojmë në Maqedoninë e Veriut dhe në takimet që kishim me kryeministrin Rama u pa ky impakt, sepse ndikimi ynë është shumë i madh, nënshkruam marrëveshje për kufi të ri me Shqipërinë, që ta lëvizim kufirin nga Qafa e Thanës ta zbresim pak më poshtë, për portin e thatë i cili do të ndërtohet në Strugë, ndërtimin e hekurudhës nga Kërçova deri te porti i ri i cili po ndërtohet në Durrës, për ndërtimin e largpërçuesit elektrik nga Manastiri në Elbasan”.
“E njëjta vlen për raportet me Dritanin që janë të shkëlqyera, por edhe ndikimi në Luginën e Preshevës sepse vazhdimisht kemi konsultime dhe takime me zotërinë Shaip Kamberi dhe liderët tjerë të Luginës së Preshevës”, tha Grubi në Rubikon të Klan Kosovës”.
Por e njëjta nuk vlen edhe për raportet me shtetin e Kosovës, sipas Grubit komunikimi me Kosovën nuk ka intensitetin e njëjtë si me shtetet tjera të udhëhequra nga shqiptarët.
“Me Kosovën ndoshta për arsye të angazhimit shumë të madh të institucioneve dhe autoriteteve kosovare me dialogun dhe me çështjen e hapur me Serbisë, komunikimi nuk është aq intensiv siç është me të tjerët, edhe pse jemi ofruar dhe jemi në dispozicion të plotë. Çdo kapacitet i yni në çdo forum qoftë rajonal, qoftë kontinental, jemi ofruar të jemi në shërbim të plotë ndaj institucioneve të Kosovës”, tha Grubi.