Banorët e Breg Lumit pranë bashkisë së Kukësit vazhdojnë prej vitesh të vuajnë pasojat e rritjes së nivelit të ujit në liqenin e Fierzës.
Në mënyrë paradoksale, ndërsa pjesa tjetër e vendit shijojnë motin e ngrohtë, këta banorë përballen me përmbytje të tokave, që në periudhën e verës shoqërohet edhe më erë të rëndë për shkak të depozitimit të mbetjeve duke rrezikuar shëndetin e banorëve por edhe të gjësë së gjallë që mbajnë. “Sëmundje. Duhet spërkatur me diçka. Vjen lopa dhe ngordh”, thotë një banor.
Një prej banorëve ka nisur të dezinfektojë tokën, në mënyrë që të parandalojë shpërthimin e ndonjë sëmundjeje. “Po e bëjmë në mënyrë private. Kanë ardhur lloj-lloj gjërash, era na mbyti, nuk merr njeri asnjë lloj mase”.
Dikush tjetër nuk ka mundësi të shkojë në banesën e tij përveçse me not. Dhe në mënyrë ironike bën apel që të shtohet akoma më shumë niveli i ujit. “Të na mbysin, s’ka rrugë tjetër”, thotë ai.
Sipas banorëve të kësaj zone, të momentin kur përmbyten tokat dhe rrugët e Breg Lumës, kuota e nivelit të Fierzës i ka kaluar 296 metrat, që është caktuar edhe si kuota maksimale e këtij ujëmbledhësi energjetik. /A2CNN