Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka folur sërish rreth pretendimeve të saj se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovë, përmes autoambulancave dhe po shkarkohen në kishat ortodokse.
Ajo ka thënë se këtë informacion e ka marrë nga burime ushtarake, “që kanë qenë në vend të ngjarjes dhe i kanë parë ata vet”.
Kearn ka komentuar edhe përgjigjen e KFOR’it për deklaratën e saj.
“Po, burimet ushtarake kanë qenë shumë të qartë me mua se ka armë që po vijnë përtej kufirit, deklarata e KFOR nuk thotë që nuk ka armë matanë kufirit duke kaluar nga kufiri, nga Serbia dhe Kosova Veriore, sepse ata e dijnë që ka. Ata kanë biseduar specifikisht për incidentin e vitit 2022 kur KFOR-it ju kishte thënë se armët që kishin ardhur në ambulanca dhe ishin vendosur në kisha. Tash, unë ju besoj shumë se njerëzve që kam folur me ta që kanë qenë në vend të ngjarjes dhe i kanë parë ata vet dhe ne të gjithë e dijmë, siç e kemi parë dhunën e tmerrshme ndaj ushtarëve të KFOR-it së fundmi dhe se ka municione duke u sjell në veri të Kosovës”, ka thënë Kearns në një intervistë për RTV 21.
Kearns ka deklaruar se duhet të dihet se kush janë këto grupe të armatosura që po operojnë në veriun e Kosovës kush po i armatos ata, kush po i financon ata dhe kush po i organizon dhe mobilizon ata
“Unë mendoj që është shumë pozitive që kanë filluar hetimet sepse mendoj që këtë gjë duhet ta shohim nga afër se kush janë këto grupe të armatosura që po operojnë në veriun e Kosovës kush po i armatos ata, kush po i financon ata dhe kush po i organizon dhe mobilizon ata dhe ky është thelbi kërkesa kryesore për BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu edhe qeverinë e Britanisë së Madhe që e dijnë se këto grupe të armatosura ekzistojnë. Tani është koha për t’i hetuar ata dhe të sigurohemi që ata nuk po i bëjnë, serbët nga Kosova dhe shqiptarët nga Kosova të ndjehen më pak të sigurt”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka thënë se nuk ka dëshmi për kontrabandim të armëve nga Serbia në Kosovë dhe shfrytëzim të kishave ortodokse për t’i mbajtur ato.
KFOR gjatë ditës së sotme ka thënë se “Nuk ka asnjë dëshmi për kontrabandën e supozuar që është kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca”.
Ata potencojnë se ngjarja e përmendur nga deputetja britanike Alicia Kearns i referohet vitit 2022, kur Batalioni Mbretëror Fusilian ishte i angazhuar në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it.
“Për praninë e supozuar të paligjshme të armëve është raportuar në shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtutjeshme për të gjetur konfirmimin e kësaj, nuk doli asnjë dëshmi për atë që u raportua”, kanë thënë ata.
KFOR tutje potencon se për sundim të ligjit, përgjegjëse janë institucionet e sigurisë së Kosovës.
“Ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit dhe është në kompetencë të organizatave të sigurisë së Kosovës”, kanë thënë nga KFOR në një përgjigje për mediat.